---
title: Emërimi i Sponsorit
acode: A01
principles:
  - 2
  - 5
---

Aktiviteti i parë menaxherial është që organizata të emërojë një menaxher të lartë (mundësisht një anëtar bordi) si sponsor. Sponsori mban rolin më të lartë në projekt dhe menaxheri i projektit i raporton atij drejtpërdrejt për të gjitha çështjet kryesore.

Sponsori është

* përgjegjës për rezultatet e projektit,
* përgjegjës për marrjen e vendimeve me rëndësi të lartë për projektin,
* përgjegjës për t’u siguruar që projekti është i financuar siç duhet dhe i pajisur me burimet e nevojshme.


## Qëllimi

Roli i sponsorit është i rëndësishëm sepse:

* Menaxherët e projektit duhet të përqendrohen në punën e përditshme dhe në arritjen e rezultateve konkrete, të cilat kërkojnë kohë dhe angazhim të konsiderueshëm, duke e bërë të vështirë menaxhimin e aktiviteteve me rëndësi të lartë për projektin.
* Menaxherët e projektit mund të mos kenë autoritetin organizativ apo kapacitetin e nevojshëm për të siguruar burimet financiare për projektin, ose mund të mos kenë informacion strategjik të mjaftueshëm për të garantuar që projekti është në përputhje me të gjitha aktivitetet e tjera të organizatës.


## Gabimet e zakonshme

Duhet të merren parasysh këto elemente kur vendoset për sponsorin:

* Sponsorët nuk është e nevojshme të shpenzojnë shumë kohë në projekt, por gjithsesi duhet të jenë të përfshirë dhe t’i kushtojnë një pjesë të vogël të kohës së tyre projektit.
* Sponsorët duhet të ndiejnë se janë zotër të projektit dhe duhet ta mbrojnë atë, megjithatë ata nuk duhet të hezitojnë në anullimin e projektit nëse ai nuk justifikon qëllimin e vendosur.
* Kur është e mundur, nuk duhet të caktohet i njëjti person si sponsor për të gjitha projektet, sepse çdo element i pandryshueshëm ka prirjen të zbehet dhe të humbasë kuptimin me kalimin e kohës.
* Nuk rekomandohet që një person i vetëm të jetë njëkohësisht sponsor dhe menaxher i projektit (përveç rasteve kur është një projekt me një person të vetëm), pasi përgjegjësitë konkrete të menaxhimit do ta shpërqendrojnë nga detyrat më abstrakte si sponsor.
* As menaxherët e projektit dhe as sponsorët nuk duhet të jenë mikromenaxherë.
